UBT News

​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Kushtetuesja interpretimin për ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas kësaj partie, ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, e kanë kapur këtë organ të pavarur. Në konferencë për media, avokati i PDK-së, ka numëruar katër shkeljet, që sipas tij, nuk kalojnë testin e kushtetutshmërisë.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda tha se pushteti po tenton që legjitimojë punësimet politike në këtë këshill.

“Ne në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli në Gjykatë Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni. Fatkeqësisht ky ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që ka bërë gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot e kemi kontestuar prapë ndryshimet në këtë ligj. Ndryshime të cilat, dua të them në emër të PDK-së, që kanë vetëm një qëllim ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, Këshillin e Pavarur për Shërbyer Civil. Në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, i përkrah, nuk i ndalon punësimet politike, partiake të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se PDK nuk do të heq dorë nga respektimi i Kushtetutës, ani pse siç tha ai, po sulmohen nga qeveria.

“Për më tepër ata duan ta zhveshin këtë organ nga kompetencat e tij kushtetuese, në një rrugë jo kushtetuese. Prandaj, ne si PDK, nuk do ta lejojmë këtë edhe ai premtimi që e kemi dhënë gjithmonë se sa herë kemi dilema për ligjet, do i dërgojmë në Kushtetuese, do të mbahet dhe po mbahet. Po e them në emër të PDK-së, që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti politike në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

Gruda u pyet edhe në lidhje me vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për mos dekretimin e kryeprokurorit të shtetit

“A do të shkojë rasti në Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk varet vetëm nga PDK. PDK ka vullnet të plot, kjo varet edhe nga fakti i deputetëve të partive të tjera që duhet të ofrojnë nënshkrime, sepse dihet që kërkohen 30 nënshkrime për ta referuar çështjen. Nëse ato nënshkrime mblidhen dhe do të ketë vullnet nga partitë tjera, PDK do të punojë që ky rast të mbërrijë në Gjykatë Kushtetuese”, u përgjigj Gruda.

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se ka marrë nënshkrimet dhe autorizimin e kësaj partie për të ngritur vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të KPMShCK-së.

“Janë katër shkelje serioze të cilat besoj që i kemi argumentuar dhe besojmë që do ta ndjekim edhe procesin në vijim përmes komunikimeve në gjykatë. Dhe jam i bindur që si të tilla nuk e kalojnë dot testin e kushtetutshmërisë. Cilat janë ato? Së pari mazhoranca apo shumica parlamentare zgjodhi që përmes plotësim-ndryshimit që i bëri Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në radhë të parë propozoi zhveshjen nga imuniteti për të gjithë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Çfarë nënkupton është se imuniteti është një instrument kushtetues të cilën kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe ky paraqet instrument kushtetues të mbrojtjes të anëtarëve të këshillit që për vendimet dhe veprimet e tyre të mos dalin para përgjegjësisë penale ose civile, siç ju njihet imuniteti funksional edhe deputetëve, anëtarëve të qeverisë edhe presidentit. Tani imuniteti i tillë me këtë ligj u është hequr”, theksoi Fetahu.

Sipas tij, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e këshillit, pozitat e nivelit të lartë drejtues.

“Janë mijëra pozita të nivelit të lartë drejtues që kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare po i përjashton nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ky institucion, në mënyrë që të mundësojë në procedura të shpejta kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve përmes kapjes dhe nënshtrimit të pozitave kyçe në administratë. E treta është rritja absurde e numrit të anëtarëve të këtij institucioni nga 7 në 15, sikur edhe shpërfaq, pa qenë fare juristë, se kjo rritje e numrit vetëm ka për qëllim që të çojë disa militantë partiakë në këshill, në një institucion të pavarur profesional, në mënyrë që të sigurohet që të ketë mbivotim në proceset dhe çështjet që ngrihen përballë vendimmarrjes së qeverisë”, përfundoi ai.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se shkelja e katërt që është bërë në këtë ligj, është pezullimi i efektit të zbatimit të vendimeve të këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga ana e palëve në gjykatë. Avokati Fetahu tha se kjo tregon që kur qeveria është në palë në këshill, ai vendim të mos ekzekutohet.

Exit mobile version