Partia Demokratike e Kosovës do t’i propozojë Kuvendit themelimin e një komisioni hetimor që të hetojë dëmet e shkaktuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri deklaroi se ka heshtje absolute nga partia në pushtet për dëmet edhe mostrat e Astrit Deharit.
Në seancë planare, teksa foli për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore tha se prej ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e këtij instituti.
“A është e vërtetë që mbetjet mortore të trupit të heroit tonë kombëtar Isa Boletini janë djegur. A është e vërtetë që mustaqet e komandantit legjendar, Adem Jashari, janë djegur. Çfarë raporte dhe çfarë ekspertiza për vrasje të dyshimta janë zhdukur nga kjo djegie. Dhe në anën tjetër asnjëherë nuk e kemi parë një raport të qartë se çka ndodhi me mostrat e rastit Dehari. Pra tani e tutje e kemi parë një heshtje, një qetësi absolute nga Lëvizja Vetëvendosje, duke mos u trajtuar asnjëherë çështjen e rastit Dehari. Pra, ju keni pritur për tri vite sa keni qenë në pushtet për ta trajtuar një çështje të tillë. Dhe sot kur po flasim si Grup Parlamentar i PDK-së do t’i propozojmë Kuvendit të Kosovës një komision hetimor, i cili do të hetojë dëmet të cilat ka shkaktuar ky zjarr i fundit në IML”, deklaroi ai.
Ai përmendi edhe dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë.
“Skandalet janë kaq të mëdha, saqë vërtetë është problem dhe nuk din njeriu me cilën të fillojë. A me fol për Gani Jakupin qysh vendi më i varfër në Evropë i ofron një pagë një këshilltarit të kryeministrit 7500 euro. Apo me fol për sulmet që po bëhen nëpër qytetet e Kosovës dhe grabitjet me armë të gjata dhe në të cilat ballafaqohet Policia e Kosovës, pa mbështetjen e kësaj qeverie. Apo me fol për Institutin e Mjekësisë Ligjore për djegien dhe për të cilën ende nuk e kemi një raport dhe për të parë se çfarë është bërë dhe dëmet që janë bërë në këtë institut. Apo me fol për dështimin e regjistrimit të popullsisë, të cilën Qeveria e Kosovës e dështoi me qëllim vetëm e vetëm për të mos ta nxjerrë numrin e saktë të popullsisë në Republikën e Kosovës. Është e qartë që shifrat e migrimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës janë të frikshme”, deklaroi ai.