Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave. Këto dy ligje u miratuan në seancën e sotme.
“Përpjekjet e përseritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri.