UBT News

PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: “Askush nuk ka të drejtë ta ndalë”

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës janë mbledhur në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë ta ndalë procesin e konstituimit apo t’ua kufizojë deputetëve ushtrimin e mandatit.

“Kush ka të drejtë ta ndalë konstituimin dhe përfundimin e tij? Kush ka të drejtë t’ua marrë deputetëve mandatin? Asnjë deputet dhe asnjë parti”, ka thënë Reçica, duke shtuar se institucionet e shtetit nuk janë pronë private e askujt.

Ai ka kritikuar edhe administratën e Kuvendit për mungesën e zërimit në sallë, duke thënë se një institucion nuk duhet të pengohet së funksionuari.

Reçica ka akuzuar gjithashtu qeverisjen aktuale për krizë të vazhdueshme institucionale, tensione me aleatët dhe polarizim të shoqërisë.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e dëmton sistemin kushtetues të vendit.

Pavarësisht kërkesave të PDK-së dhe Aleancës për vazhdimin e seancës, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë deklaruar se seanca nuk do të vazhdojë pa një marrëveshje politike.

Ndërkaq, Kurti, i pyetur se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive, ka thënë se nuk është ai që e thërret seancën, por kryesuesi i saj, Avni Dehari.

Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rend dite kanë mbetur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit./A.K/

Exit mobile version