Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur sot se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e seancës plenare të javës së kaluar.
Tahiri ka potencuar se seanca e fundit plenare (13 korrik) duhet të anulohet, si dhe të gjitha vendimet që janë marrë atë ditë.
“Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet. Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese. Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka shtuar se kanë kërkuar masë të përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga seanca e fundit plenare.
“Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura. Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, ka shkruar tutje ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se PDK është pozicionuar kundër qytetarëve të vendit. Sipas tij, PDK po dëshiron t’i hakmerret qytetarëve për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
“PDK qartazi janë pozicionu kundër popullit të Kosovës. Këta po duan t’i hakmerren popullit për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. E paimagjinueshme të shohësh që kjo parti e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kryetarit të Kuvendit për seancën e javës së kaluar ku janë votuar një mori vendimesh të rëndësishme”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.
Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e 13 korrikut, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku, ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit.
Pas ndërprerjes disa orëshe të seancës, në Kuvend ka pasur sërish tensione. Mospajtueshmëria mes pushtetit dhe opozitës për vazhdimin ose jo të seancës ka provokuar prapë tensione mes deputetëve. Por, përkundër këtyre, Kuvendi ka miratuar një sërë projektligjesh, ndër to edhe Projektligjin për pagën minimale.