Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër aktin e mbrëmshëm të djegies së dy veturave zyrtare të komunës së Zveçanit në vendparkimin e objektit të komunës.
“PDK u bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ta hetojnë dhe ta zbardhin sa më parë këtë rast, si dhe të angazhohen në parandalimin e akteve të tilla të mundshme. Rritja e interesimit të qytetarëve serbë që jetojnë në Komunën e Zveçanit për të drejtuar dhe shprehur nevojat e tyre ndaj komunës, si duket po i pengon grupet kriminale. Kryetari i komunës, Ilir Peci dhe ekipi i tij mbeten të përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim”, thuhet në komunikatë të PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të komunës së Zveçanit.