UBT News

​PDK akuzon Qeverinë Kurti: Përveç “lëmoshave”, s’ka plan të qëndrueshëm t’i ndihmojë qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar qeverinë për keqqeverisje me buxhetin, duke thënë se buxheti i ndarë për vitin e ardhshëm nuk do t’i mundësojë vendit zhvillim ekonomik e as përmirësim të mirëqenies se qytetarëve.

Në një konferencë për media sot, koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, tha se Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vjet, përmes të cilit nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt madhor për vendin.

Ai shtoi se pushteti nuk ka asnjë plan për ta zhvilluar Kosovën e për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Kjo qeveri, ashtu siç e filloi mandatin, ashtu dhe po shkon drejt fundit të mandatit të saj qeverisës, duke bartur paratë e qytetarëve të Kosovës nga dora në dorë, por pa lënë asnjë gjurmë substanciale në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendit. Pra, për katër vjet qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vendit… Prandaj, shihet qartë se kjo qeveri nuk ka asnjë plan për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Mustafa.

Ai ka potencuar buxheti për vitin e ardhshëm është vetëm tre për qind më i lartë se buxheti paraprak dhe se sipas tij, kjo rritje e ulët reflekton ngecje të përgjithshme të ekonomisë së Kosovës.

“Buxheti i aprovuar dje, ngjashëm me buxhetet e viteve të fundit, nuk ofron asnjë perspektivë të qartë për një dinamikë më të madhe të zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve për vitin 2024. Në krahasim me vitet paraprake, ky buxhet dallon vetëm për sa i përket ndryshimit të strukturës së buxhetit në dëm të investimeve kapitale dhe në favor të shpenzimeve për transfere dhe subvencione”, tha Mustafa.

Ai para gazetarëve tha se kjo qeveri nuk po arrin të realizojë mbi gjysmën e investimeve kapitale të planifikuara, derisa shton se te subvencionet dhe transferet shuma e realizuar në vazhdimësi po tejkalon shumën e planifikuar.

“Në buxhetin për vitin 2024, shuma e alokuar për investime kapitale përfaqëson vetëm 26 për qind të gjithsej shpenzimeve kapitale të planifikuara, përderisa ato të planifikuara për subvencione dhe transfere përfaqësojnë 32.2 për qind të shpenzimeve të planifikuara për vitin e ardhshëm. Kjo qeveri nuk po arrin të realizojë mbi gjysmën e investimeve të planifikuara kapitale, derisa te subvencionet dhe transferet shuma e realizuar në vazhdimësi po tejkalon shumën e planifikuar fillimisht, atëherë është realiste të presim se në vitin 2024 shpenzimet për investime kapitale nuk pritet që të jenë mbi gjysmën e shpenzimeve që janë ndarë për subvencione dhe transfere. Kemi një situatë ku edhe ato pak investime kapitale të planifikuara nuk arrin të realizohen”, tha ai.

Mes tjerash ai tha se nga gjithsej buxheti i paraparë për investime kapitale, 83% i takon projekteve të bartura nga vitet paraprake, ndërsa vetëm 17% është planifikuar për investime të reja kapitale. I njëjti tha se orientimi i kësaj qeverie është te skemat sociale dhe jo t’i ndalë në ndihmë më afatgjate qytetarëve.

“Paaftësia e kësaj qeverie për t’i realizuar projektet ekzistuese kapitale dhe për të hartuar projekte të reja nënkupton më pak infrastrukturë për tërheqje të investimeve dhe zhvillim të sektorit privat, më pak infrastrukturë dhe pajisje për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e arsimore dhe në përgjithësi, më pak zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarët e Kosovës… Kjo qeveri në vazhdimësi ka refuzuar propozimet tona për rritje të pensioneve në kushtet kur rritja e çmimeve ka bërë të papërballueshme për shkak të rritjes së çmimeve. Tani, në vend se të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme duke ua rritur pensionet, këta ia japin pensionistëve një lëmoshë të njëhershme prej 100 eurosh sa për t’i mbajtur shpresat e tyre të varura për ndonjë vendim për një lëmoshë tjetër nga Qeveria në të ardhmen”, tha Mustafa.

Grupi Parlamentar i PDK-së në seancën e djeshme të Kuvendit kanë propozuar një sërë amendamentesh për buxhetin 2024, me nevojat reale që ka vendi dhe qytetarët, por ato nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca.

Në mesin e amendamenteve të propozuara, ishin ato që kërkonin rritjen e koeficientit të pagës për sektorin publik, sigurimin shëndetësor për Policinë e Kosovës, pensionet e parakohshme për policinë dhe projekte të nevojshme infrastrukturore.

Exit mobile version