Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar për korrupsion masiv qeverinë Kurti, në lidhje me procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë.
Në debatin parlamentar në Kuvend, deputeti, Ferat Shala tha se MMPHI ka trashëguar një borxh prej 52 milionë eurove në sektorin e ujërave. Sipas tij, ky borxh i mbetur ndër-vite nuk është trajtuar sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ai tha se ministria përmes kuadrove të dirigjuara ka realizuar projektin të cilin e quajti më korruptiv të mundshëm me pasoja të mëdha për shtetin.
Sipas tij, ministria ka rinegociuar, ri-kalkuluar dhe selektuar borxhet e ambalazhuesve të ujit.
“Ka trashëguar në sektorin e ujërave një borxh prej 52 milionë euro. Ky borxh i mbetur ndër vite është temë dhe fokusi kryesor korruptiv që kjo ministri e ka trajtuar tash e katër vite. Borxhi i ambalazhuesve ka qenë i regjistruar dhe përgatitur sipas legjislacionit në fuqi. Legjislacioni thotë se ky borxh s’mund të falet dhe as shlyhet. Qeveria, me instanca të larta të saj e zbulon praktikën tjetër. Metodën e rinegocimit, rikalkulimit dhe selektimit të ambalazhuesve dhe borxheve. Për të realizuar këtë projekt të paligjshëm dhe korruptiv duhet nxjerr akte normative për të manovruar dhe kalukuar për interesa të grupit të ngushtë….Ministria përmes kuadrove të dëgjuara dhe emëruara si ushtrues detyre filloi të realizojë projektin më korruptiv të mundshëm me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit…Edhe kryeministri dhe ministri kanë qenë të informuar për të gjitha këto afera me e-mail zyrtar nga sinjalizuesit brenda ministrisë”, tha ai.
Ai pasi akuzoi qeverinë për mostransparencë, parashtroi disa pyetje për ministrin e MMPHI, Liburn Aliu.
“Ne si deputetë por edhe qeveria si ekzekutiv e ka obligim ligjor të jetë e hapur dhe transparent në punën e saj. Këtë s’po e shohin. Sot mungon ministri, kabineti qeveritar dhe kryeministri dhe heshtë. Këtu po ikë nga përgjegjësia dhe llogaridhënia…Ne kemi dilemat tona. A është respektuar ligji për temën që po trajtojmë? Hapat e veprimeve që ka marrë shteti po tregojnë se nuk është respektuar. A është menaxhuar sektori i ujit mbi bazën e legjislacionit në fuqi? Kush dhe si menaxhon me sektorin e ujërave në Kosovë? Pse edhe pas tri viteve sektori i ujërave udhëhiqet nga ushtrues detyre në mënyrë të paligjshme? Ne duhet të dimë sa është numri i operatorëve të ujit, gjegjësisht ambalazhuesve. Ne duhet të dimë sa saktë sa janë borxhet e këtyre operatorëve dhe si janë inkasuar dhe sa borxhe kanë mbetur pa inkasuar prej buxhetit të shtetit. Opinioni duhet të dijë çfarë akte ligjore janë nxjerr për sektorin e operatorëve të sektorit të ujërave. Mënyra e kalkulimit dhe shuma financiare që operatorët i kanë realizuar. Mënyrën e negocimit dhe ndryshimit të shumave nga miliona euro në dhjetëra mijëra euro. Ne duhet të dimë mënyrën e shlyerjes së borxheve për kompani të caktuara”, tha ai.