UBT News

PD në rreth vicioz

FATOS LUBONJA

Debati nëpër media, i shpërthyer edhe nga fjalimi i Mark Markut në Kongresin e fundit të PD-së, nuk mund të mos lidhet me pyetjen se si po sillen shqiptarët në këtë fazë të re të regjimit, që personalisht e konsideroj fazë hopi të rrezikshëm të politikës “krimi ndjell krimin”. Duke e thjeshtëzuar, do t’i ndaja bashkatdhetarët në katër kategori:

– në kategorinë e atyre që ndihen pjesë e regjimit dhe përfitimeve që ai u sjell dhe që, në një mënyrë apo tjetër, janë bërë pjesë e politikave “krimi ndjell krimin”,

– në kategorinë e të nënshtruarve që thonë se duhet të përshtatemi se s’ke çfarë bën;

– në atë të atyre që thonë se duhet të ikim për të ruajtur dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve;

– në kategorinë e atyre që mendojnë se duhet të rezistojmë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Brenda kategorisë së fundit meriton të analizohen në mënyrë të veçantë aktorët që pretendohet të sjellin ndryshimin, ku do të dalloja:

– partitë që i kam quajtur “të sistemit”,
– partitë apo lëvizjet “antisistem”,
– shoqërinë civile

Në këtë shkrim, duke u nisur edhe nga debatet pas Kongresit, do të analizoj gjendjen e PD-së.

* * *

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, brenda PD-së janë shfaqur dy rryma kryesore. Njëra përfaqësohet nga kryetari Basha dhe mbështetësit e tij që i mëshojnë tezës se zgjedhjet u manipuluan nga Rama me të vetët, se po të kishin qenë të lira opozita do të dilte fituese, pa mbajtur ndonjë përgjegjësi për humbjen. Tjetra është e ndarë midis atyre që fajësojnë Bashën, pa përmendur masakrën zgjedhore, dhe atyre që, gjithë duke theksuar masakrën zgjedhore, e akuzojnë kryetarin se nuk arriti të bashkojë, mobilizojë e frymëzojë sa duhet njerëzit për të votuar dhe për të mbrojtur votën.

Ajo që vihet re është se në këtë debat grupi i parë e përqendron diskursin tek individi Edi Rama si shkaktar i humbjes së PD-së, kurse i dyti tek individi Lulzim Basha, duke mos prekur thuajse fare një çështje, sipas meje themelore, që kërkon thellim dhe analizë serioze nëse vërtet PD synon të ndryshojë veten për të ndryshuar Shqipërinë. Duke rimarrë një metaforë që e kam përdorur më herët – ku e krahasoj sistemin/regjimin me një ndërtesë trekatëshe dhe bodrumin – gjykoj se sot kemi hyrë në një fazë të re që e bën thuajse të pamundur atë që ka ndodhur deri më 2013: rrotacionin në katin e tretë të ndërtesës së regjimit pa prekur katet e mëposhtme të saj. Kjo sepse katet e mëposhtme, d.m.th., ai i mediave të oligarkëve në katin e dytë, ai i oligarkisë në katin e parë si dhe “krimi i organizuar” në bodrum, janë bërë thuajse një me partinë e vetme në pushtet, kështu që nëse loja e zgjedhjeve luhet me dhe për lojtarët brenda kësaj ndërtese, shanset e opozitës për të arritur rrotacion janë afër zeros.

P Template

Exit mobile version