Pavell i tha uebsajtit Seznam Zpravi se Putini e ka bërë të qartë se nuk mund të ketë bisedime për asnjë marrëveshje për paqe deri në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, transmeton Euroaktiv.
“Kështu ai e bëri të qartë se për të partneri për negociatat e mundshme nuk është askush tjetër veçse SHBA-ja. As ndonjë nga vendet kryesore evropiane”, tha Pavell.
Ai tha se “nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA, Putini mund të përpiqet të negociojë me të pavarësisht se çfarë mendon Ukraina apo pjesa tjetër e Evropës”.
Presidenti çek beson se negociata të tilla midis Putinit dhe Trump mund të çojnë në “një lloj kompromisi” që do të rivendosë statusin e Rusisë si një lojtar kyç, ndërsa të tjerët do të duhet ta pranojnë atë, transmeton Tanjug.
Pavell, i cili ishte kreu i komitetit ushtarak të NATO-s përpara se të bëhej president i Republikës Çeke në janar 2023, është një mbështetës i fortë i Ukrainës, por duket se është mjaft skeptik për mënyrën se si do të zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë.
Ai tha se së shpejti bota do të duhet të përballet me një “situatë të re”.
“Ka shumë përpara pasi zhvillimi i konfliktit në Ukrainë tregon se ka shumë gjasa që ne të shohim disa zhvillime të rëndësishme vitin e ardhshëm. Dhe treguesit e deritanishëm tregojnë se nuk do të jetë në kuptimin më të mirë të fjalës, siç do të donim”, tha Pavell.
Komentet e Pavell janë të ngjashme me ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha në fillim të këtij muaji se ai priste “lajme të këqija” nga fronti ukrainas.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se, nëse rizgjedhet, do ta zgjidhë luftën në Ukrainë brenda 24 orëve.
Ndërkohë, Finlanda, anëtarësimi i së cilës në NATO është kritikuar ashpër nga Moska, i ka dhënë ushtrisë amerikane akses të pakufizuar në objektet ushtarake pranë kufirit finlandezo-rus.
Finlanda dhe SHBA kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje mbrojtëse, e cila i jep ushtrisë amerikane akses të pakufizuar në objektet ushtarake pranë kufirit finlandezo-rus.