Pavarësisht sëmundjes, diva e muzikës Celine Dion nuk është dorëzuar nga karriera dhe madje po planifikon të rikthehet së shpejti në skenë.
Sipas Mirror.uk, këngëtarja po punon për të rifituar zërin dhe qëndrueshmërinë e saj, që të mund të ngjitet përsëri në skenë, dhe burimet zbulojnë se e ka arritur qëllimin e po planifikon një rikthim triumfues vitin e ardhshëm.
Burimet thonë se Dion, e cila zbuloi luftën me sindromën shkatërruese të personit të ngurtë dhjetor 2022, po shërohet më mirë se sa pritej.
“Ajo është mirë, shëndeti i saj është i mirë e po arrin përsëri notat e larta. Ajo po ushtrohet në shtëpi e vazhdon me fizioterapi për të trajtuar sëmundjen. Ajo po lëviz mirë dhe zëri tingëllon bukur, falë të gjitha ushtrimeve vokale që po bën. Njerëzit nuk mund ta besojnë se po shërohet kaq shpejt. Sigurisht, ajo ende ka ditët e saj të këqija, por po bëhet më e fortë”, tha burimi.
Këngëtarja postoi një video të saj duke kërcyer në studio ndërsa dëgjonte një remiks të këngës “A New Day” të Sebastian Ingrosso-s, në të cilën ajo këndon. Remiksi është vetëm fillimi, vuri në dukje burimi, duke shtuar se ylli kanadez dëshiron të performojë vitin e ardhshëm.
“Është ëndrra e saj dhe po punon shumë për ta bërë realitet. Po bën çmos për të përshpejtuar rikthimin e saj”, tha burimi.
Dion u detyrua të anulonte turneun “Courage World Tour” tre vjet më parë për shkak të SPS-së së rëndë, çrregullim i rrallë nervor që shkakton ngurtësi e spazma muskulore, duke e bërë të vështirë ecjen.
Pavarësisht spazmave muskulore që ia vështirësonin ecjen, ajo arriti të performonte drejtpërdrejt “Hymne a l’amour” në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Verore 2024 në Paris.
Kjo erdhi pas një dekade sfiduese për të, që përfshinte humbjen e bashkëshortit 73-vjeçar nga kanceri në fyt më 2016, duke e lënë të rriste vetëm tre djem.