UBT News

Pavarësisht rritjes së rasteve, Holanda do t’i lehtësojë masat

Qeveria holandeze do t’i lehtësojë masat antiCOVID, ndër më të ashprat në Evropë, nga sot.

Baret, restaurantet dhe muzetë u mbyllën që nga 18 dhjetori në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e variantit Omicron. Por pavarësisht masave strikte, rastet me COVID-19 u rritën, me diku 60 mijë raste ditore të regjistruara brenda ditës.

Kryeministri Mark Rutte në një konferencë për media tha se vendi “po rrezikon” me lehtësimin e masave. Ai njoftoi se masat e reja antiCOVID do të jenë në fuqi deri më 8 mars.

Kafenetë, lokalet dhe restaurantet do të jenë të hapura deri në orën 22:00, ndonëse klientëve do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit ose dëshmia që së fundi u shëruan nga COVID-19 për të hyrë. Klubet e natës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, kurse kapaciteti i njerëzve në eventet kulturore do të jetë i limituar në 1 mijë e 250 persona.

Kafenetë në disa qytete u hapën në kundërshtim me kufizimet fundjavën e kaluar dhe dhjetëra muze dhe teatro u hapën për një ditë në shenjë proteste.

Mbështetja publike për masat e rrepta gjithashtu është zbehur gjatë muajit të kaluar dhe protestat e mëdha kundër masave antiCOVID janë bërë më të shpeshta në kryeqytet, Amsterdam.

Ministri i Shëndetësisë, Ernst Kuipers paralajmëroi se virusi “nuk është grip”, por shtoi se relaksimi i masave është i rëndësishëm.

Pothuajse 90% e popullsisë në Holandë është vaksinuar. Por vendi ka ngrecur në programin e vaksinave përforcuese, ku vetëm 57% e popullsisë shprehën interes ta marrin./UBTNews

Exit mobile version