Sot ka nisur të zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi për dokumentet dhe qytetarët e Kosovës të cilat nga mesnata kanë udhëtuar në drejtim të Serbisë kanë kaluar kufirin lirshëm.
Në pikat kufitare nuk ka pasur nevojë për dokumente shtesë, me përjashtim të letërnjoftimit, që nënkupton se nga 1 shtatori nuk po lëshohen dokumentet për hyrje/daljet.
E lidhur me sigurinë në vend dhe lirinë e lëvizjes ka reaguar edhe KFOR-i, duke thënë se mandati i tyre është që tu sigurojnë qytetarëve në Kosovë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.
“Mandati ynë është që t’u sigurojmë njerëzve në Kosovë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fenë, apo vendin ku ata jetojnë. Prandaj, ne patrullojmë në të gjitha zonat dhe i qëndrojmë afër komunitetit”, deklaroi komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it, Maurizio Mele.
“Misioni i NATO-s, KFOR-it është të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Në kryerjen e misionit të saj, NATO bashkëpunon dhe ndihmon Shtetet e Bashkuara Kombet, Bashkimi Evropian dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë, sipas rastit, për të mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet më tej në deklaratën e KFOR-it.