UBT News

Patëllxhani lufton alergjitë dhe inflamacionet

Patëllxhani i freskët në 100 gramë ka 24 kalori e përmban 1,01 për qind proteina, 0,19 për qind yndyrë, 5,7 për qind karbohidrate, 3,4 për qind fibra dietale, 92,4 për qind ujë. Është i pasur me celulozë dhe nxit punën e organeve të tretjes, përmban edhe pektinë, që e ul kolesterolin. Është i mirë për zemër sepse siguron një sasi të konsiderueshme kalium, që ndihmon në normalizimin e shtypjes së gjakut, e përmban pak kalori yndyrore. Njëkohësisht përmban edhe fitokemikatin saponinë, që posedon përbërës kundër kancerit, inflamacioneve dhe alergjive.

RECETA

PËRBËRËSIT 1 patëllxhan të madh, 1 domate të vogël, 4 pjesë “mozzarella”, 15 gjethe borzilok, kripë dhe piper, arugula 50 gramë, bimë të veshkave (lloj i fasules) 20 gramë.

PËR SALCË

2 lugë majonezë, 4 lugë vaj ulliri, lëngun e gjysmë limonit, 1 hudhër, kripë dhe piper, borzilok të freskët.

PËRGATITJA

Copëtoni patëllxhanin në rriska të holla. Bëni 8 pjesë. E kriposni, e piqni në tigan 2 minuta. I hiqni dhe lini të thahen në letër. Preni domaten në rriska (4 pjesë), preni mozzarella-n në 4 rrahtë. Nxehni furrën në 220 C, përgatisni pako të vogla, duke vendosur 2 rriska patëllxhan dhe aty paraprakisht vendosni domaten, mozzarella-t, edhe në fund 2 gjethe borzilok. Secilës shtresë i hidhni kripë dhe piper. Kur keni përgatitur katër pako, i radhisni në tepsi dhe i piqni në furrë për dhjetë minuta. Për salcë ju nevojitet blenderi, vendosni borzilokun, kripën, piperin, i bashkoni mirë, shtoni edhe vajin e ullirit, lëngun nga limoni, majonezën dhe shtoni kripën.

Exit mobile version