Pasuria e Elon Muskut brenda një dite është rritur me 36.2 miliardë dollarë, pasi kompani Hertz Global Holding ka porositur 100 mijë vetura Tesla.
Sipas të dhënave të Indeksit të Miliarderëve të prezantuar nga Bloomberg, përcjell Telegrafi, ky është fitimi më i madh njëditor në histori.
Pasuria neto e Muskut aktualisht është 288.6 miliardë dollarë, duke bërë që të jetë i pari në listë, i ndjekur nga Jeff Bezos dhe Bernard Arnault.
Aksionet e Teslas gjatë ditës së hënë janë rritur me 13 për qind, duke çuar vlerën e saj të tregut në 1 trilion dollarë. Rreth dy të tretat e pasurisë neto të Muskut është e lidhur drejtpërdrejt me aksionet e kompanisë.
Vlera e tregut prej 1 trilion dollarë, Tesla i bashkohet kompanive gjigante të teknologjisë me një vlerë të tillë në treg.
Deri më tani, këtë vlerë e kishin gjigantët si Amazon, Apple, Microsoft dhe Google, kurse Facebook ishte anëtari i fundit që iu bashkuar këtij “klubi” gjatë muajit shtator.