Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka njoftuar se në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi Komunal faturimi dhe pagesa për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave duhet të kryhet drejtpërdrejt në pikat zyrtare të kompanisë.
Ky vendim sipas KRM “Pastrimi”, është në fuqi dhe mbetet plotësisht i zbatueshëm.
“Dëshirojmë të theksojmë se pezullimi i ndryshimit të rregullores për mbeturinat, i miratuar nga Kuvendi Komunal, nuk mund të bëhet me vendim personal të kryetarit të Komunës, Përparim Rama. Një rekomandim i Zyrës Ligjore të Komunës nuk ka kompetencë ekzekutive mbi vendimet e Kuvendit Komunal, prandaj çdo veprim në kundërshtim me këtë rregullore është i paligjshëm. Apelojmë te qytetarët të mos bien pre e keqinformimit dhe të kryejnë pagesat e tyre vetëm në “Pastrimi” sh.a.. Pagesa e faturave është thelbësore për përmirësimin e shërbimit, garantimin e pagave të punëtorëve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për të gjithë”, thuhet në njoftim.
KRM “Pastrimi”, kërkon nga qytetarët që mos të lejojnë që keqmenaxhimi dhe interesat financiare të cenojnë cilësinë e shërbimit publik.
Ditë më parë Komuna e Prishtinës ka shpall gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama deri te kjo situatë ka ardhur pasi koalicioni PDK-Lëvizja Vetëvendosje përmes plotësim-ndryshimit të rregullores po tenton ta pengojë angazhimin e kompanive private në menaxhim të mbeturinave.