Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka mohuar akuzat e Komunës së Prishtinës se kompania po saboton procesin e menaxhimit të mbeturinave. Komuna ka pretenduar se “Pastrimi” ka sabotuar gjashtë kamionë të rinj dhe nuk ka shpërndarë 2500 kontejnerë.
Reçica ka sqaruar për KOHËN se kamionët janë funksionalë, por kanë probleme teknologjike dhe po operohen manualisht deri në rikodimin e tyre nga prodhuesi, pasi modeli aktual nuk njeh kontejnerët e përdorur në Prishtinë. Sa i përket kontejnerëve, ai ka theksuar se “Pastrimi” nuk mund t’i shpërndajë pa një leje zyrtare nga Komuna, duke refuzuar ftesat përmes mediave.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka deklaruar se do të shqyrtohen mundësitë për ta tejkaluar situatën, duke theksuar se mungesa e kontejnerëve dhe sabotimi i kamionëve përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Ai ka lënë të kuptohet se mund të ketë prapavijë politike pas kësaj situate.
Në një deklaratë për media, “Pastrimi” ka akuzuar Komunën për mbajtjen peng të dy kamionëve të mbeturinave, me qëllim që ato t’i dorëzohen një kompanie private. Kompania e ka quajtur këtë veprim keqpërdorim të pushtetit dhe ka akuzuar kryetarin Përparim Rama për manipulim të opinionit publik dhe krijimin e një krize artificiale.
Gjithashtu, “Pastrimi” ka mohuar pretendimet për dëmtimin e gjashtë kamionëve, duke theksuar se testimi publik ka treguar probleme teknike që kanë ekzistuar që nga blerja dhe se Komuna nuk ka marrë masa për t’i rregulluar. Sipas kompanisë, Komuna u ka dërguar një email zyrtar për shpërndarjen e kontejnerëve vetëm pas konferencës për media, kur u ballafaqua me pyetje nga gazetarët.
Në fund, “Pastrimi” ka theksuar se menaxhimi i mbeturinave po tentohet t’i jepet një kompanie private, duke rrezikuar vendet e punës të mbi 900 punëtorëve dhe duke aluduar se fondi prej 16 milionë eurosh mund të përdoret për qëllime të tjera./KOHA/