Qeni i presidentit Joe Biden të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i quajtur Komandant, kafshoi një oficere tjetër të Shërbimit Sekret të hënën, njoftoi përmes një deklarate një zëdhënës i këtij shërbimi.
Qeni i racës pastor gjerman e kafshoi oficeren e Shërbimit Sekret rreth orës 20:00 të hënën. Oficerja u trajtua nga personeli mjekësor dhe tha se ishte mirë, sipas zëdhënësit të Shërbimit Sekret, raporton “ABC News”.
Ky do të ishte rasti i njëmbëdhjetë i njohur i kafshimit të një oficeri të Shërbimit Sekret nga qeni i presidentit amerikan dhe i sjelljeve agresive të tij.
Në shkresat elektronike të Shërbimit Sekret të SHBA-së, të siguruara nga “Judicial Watch” në korrik përmes kërkesës sipas Aktit për Sigurinë e Informimit, përshkruhen dhjetë incidente të pastorit gjerman që ka kafshuar njerëz për një periudhë katërmujore.
Këtu përfshihet një incident që kishte rezultuar në transportimin e një agjenti të Shërbimit Sekret në spital, pasi kishte marrë trajtim nga personeli mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, sipas shkresave elektronike.
Familja Biden ka një qen tjetër, të quajtur Major, i cili është sjellë në mënyrë agresive, përfshirë kafshimin e stafit të Shërbimit Sekret dhe të Shtëpisë së Bardhë. Familja e ka dërguar qenin për të jetuar me miqtë e tyre në Delaware.
“Komandanti” iu bashkua familjes presidenciale në Shtëpinë e Bardhë në dhjetor të vitit 2021. Ai i ishte dhënë dhuratë Bidenit nga vëllai i tij, James, për ditëlindje. Familja ka edhe një mace, që quhet Willow.