UBT News

Pasojat e rënda të përdorimit të barnave për diabetin dhe humbjen e peshës

Përdorimi i barnave që përshkruhen për diabetin e tipit 2 dhe kontrollin e peshës trupore të njohura si agonistë të GLP-1, mund të ndikojë në saktësinë e interpretimeve të imazheve onkologjike PET-CT, duke shkaktuar ekzaminime të panevojshme, vlerësim të pasaktë të stadit të kancerit dhe madje ndryshime në drejtimin e trajtimit.

Këto barna ndikojnë në metabolizmin e glukozës, lëvizshmërinë e stomakut dhe tonusin simpatik, gjë çon në modele atipike të përthithjes gjatë ekzaminimeve me fluordezoksiglukozë (FDG PET-CT).

Ky lloj skanimi përdoret për zbulimin e lezioneve malinje aktive, përfshirë kancerin e mushkërive, kolorektalin, limfomën, melanomën, kancerin e gjirit dhe vezoreve. Ai luan rol kyç në përcaktimin e stadit të kancerit dhe monitorimin e përgjigjes ndaj terapisë.

Pacientëve u rekomandohet të shmangin aktivitetin fizik apo masazhin 48 orë para skanimit, të mos konsumojnë karbohidrate 24 orë më parë dhe të mos hanë as pinë (përveç ujit dhe barnave) gjashtë orë para ekzaminimit. Para testit, pacientit i injektohet sasi kontrasti radioaktiv, ai shpërndahet në trup e ndihmon kamerën PET të identifikojë qelizat me përdorim të lartë të glukozës, siç janë qelizat tumorale.

Një studim i prezantuar në kongresin e 38-të të Shoqatës Evropiane për Mjekësi Bërthamore tregoi se përdorimi i agonistëve GLP-1 shkakton rritje të përthithjes së kontrastit në muskujt skeletikë, në miokard dhe në indin dhjamor kafe – elemente që mund të interpretohen gabimisht si kancer apo sëmundje inflamatore.

“Vërejtëm modele të pazakonta përthithjeje që mund të ngatërrohen me patologji nëse nuk merret parasysh historia e përdorimit të barnave të pacientit,” tha Dr. Peter Strouhal, specialist i mjekësisë bërthamore dhe autor kryesor i studimit.

Sipas tij, këto modele janë më të shpeshta, por mungojnë udhëzime ndërkombëtare që të standardizojnë mënyrën e interpretimit të tyre.

Ekipi kërkimor po planifikon të zgjerojë studimin në qendra të tjera të imazherisë dhe të krijojë bashkëpunim ndërkombëtar për të ndërtuar udhëzime të qarta për interpretimin e imazheve PET-CT tek pacientët që përdorin këto barna.

Aktualisht, studiuesit nuk rekomandojnë ndërprerjen e agonistëve GLP-1 para skanimit, por këshillojnë dokumentim të kujdesshëm të përdorimit të tyre në mënyrë që radiologët dhe onkologët të interpretojnë saktë rezultatet.

“Njohja e modeleve karakteristike ndihmon në shmangien e ankthit të panevojshëm e sigurimin e një kujdesi të saktë dhe në kohë,” përfundoi Dr. Strouhal. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version