Komisioni Evropian ka zbuluar plane të reja që do t’u mundësojnë udhëtarëve drejt dhe nga zona Shengen të BE-së të ruajnë kredencialet e tyre të udhëtimit në mënyrë dixhitale. Kjo do të thotë se të dhënat e ruajtura aktualisht në çipin e pasaportave ose kartave të identitetit mund të transferohen në smartphone, duke lejuar kalime më të shpejta në kufi.
Sipas Komisionit Evropian, ky hap do të përmirësojë përvojën e udhëtimit, duke e bërë më të qetë dhe më të sigurt procesin.
Věra Jourová, zëvendëspresidentja e Komisionit për vlerat dhe transparencën, deklaroi se dixhitalizimi i pasaportave dhe kartave të identitetit do të përshpejtojë kalimet kufitare dhe do të lehtësojë punën e autoriteteve në përqendrimin e tyre tek çështjet më problematike, si kontrabanda e migrantëve.
Megjithatë, planet duhet të miratohen nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian. Ky zhvillim vjen ndërsa BE-ja përgatitet të prezantojë një sistem të ri për kontrollin e hyrje-daljeve nga zona Shengen, i cili pritet të hyjë në funksion në nëntor, megjithëse mund të ketë vonesa.
Ky sistem do të kërkojë që udhëtarët jo-BE të kalojnë nëpër skaner kur hyjnë në zonën Shengen, që përfshin shumicën e vendeve të BE-së, si dhe Norvegjinë, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën, por jo Irlandën dhe Qipron.
Shërbimi i pasaportave dixhitale do të jetë falas dhe vullnetar për udhëtarët, dhe mund të hyjë në fuqi deri në vitin 2030./UBTnews/