Shtëpia ku kaloi fëmijërinë Papa Leo XIV, Papa i parë amerikan në histori, është nxjerrë në shitje përmes një ankandi luksoz, pas interesit të madh që u krijua menjëherë pas zgjedhjes së tij më 8 maj.
Kjo pronë ndodhet rreth 32 kilometra në jug të Çikagos dhe përfshin tre dhoma gjumi. Ankandi nis me një çmim fillestar prej 250,000 dollarësh, ndërsa shitësi është i gatshëm të pranojë oferta në çdo kohë deri më 18 qershor. Shtëpia u ble nga një investitor pasurish të paluajtshme për 66,000 dollarë një vit më parë dhe më pas iu nënshtrua një rinovimi të plotë. Fillimisht ishte listuar në treg në janar me çmimin 219,000 dollarë, dhe më pas u ul në 199,000 dollarë, por pa tërhequr shumë vëmendje.
Interesi u rrit ndjeshëm pas zgjedhjes së Kardinalit Robert Francis Prevost si Papa Leon XIV. Pas kësaj, brenda vetëm disa orësh, pronari mori tetë oferta dhe hoqi shtëpinë nga tregu.
Papa Leon XIV kaloi fëmijërinë në këtë shtëpi, së bashku me prindërit e tij, babain Louis, që ishte mësues, nënën Mildred, bibliotekare, dhe dy vëllezërit.
Ekspertët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se ankandet luksoze janë gjithnjë e më të zakonshme për prona me një histori ose vlerë unike, që nuk përshtaten me tregun tradicional.
Përfaqësuesi i ankandit, Haghani, tha se pronat me një histori të tillë kanë një vlerë simbolike të veçantë, dhe ankandet ndihmojnë për të përcaktuar vlerën reale në treg.
Ndërkohë që Vatikani përgatitet për një epokë të re nën drejtimin e Papa Leon XIV, kjo shtëpi mund të shndërrohet në një objekt me vlerë të madhe historike dhe simbolike për blerësin e ri, si dhe për historinë amerikane të Kishës Katolike.