Kina ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes së cilit iu ka dhënë afat për 30 ditë të gjitha agjensive federale që të fshijnë TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare. Një vendim të tillë e kanë marrë edhe Bashkimi Evropian dhe Kanadaja gjatë javëve të fundit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës akuzoi SHBA-të se po abuzojnë me pushtetin për të shtypur firmat e huaja.
“Ne i kundërshtojmë me vendosmëri këto veprime të gabuara”, u tha gazetarëve zëdhënësja Mao Ning gjatë një konference për shtyp të martën. “Qeveria amerikane duhet të respektojë parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme, të ndalojë shtypjen e kompanive dhe të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë dhe jodiskriminues për kompanitë e huaja në SHBA”.
“Sa e pasigurt në vetvete mund të jetë superfuqia më e madhe në botë si SHBA-ja, që të ketë frikë nga aplikacioni i preferuar i të rinjve”, thuhet tutje në deklaratën e tij.
Muajt e fundit, zyrtarët perëndimorë janë gjithnjë e më të shqetësuar për aplikacionin e famshëm për publikimin e videove, i cili është nën pronësi të Byte Dance. TikTok është përballur me akuza se mbledh të dhënat e përdoruesve dhe ia dorëzon qeverisë kineze. Disa agjenci të inteligjencës janë të shqetësuara se informacionet delikate mund të ekspozohen kur aplikacioni shkarkohet në pajisjet qeveritare./UBTNews/