UBT News

Pas trazirave zgjedhore në Brazil, demokratët i kërkojnë Bidenit të dëbojë Bolsonaron

Ligjvënësit demokratë i kërkuan të enjten presidentit Joe Biden që t’i revokojë vizën ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i ofrojnë strehim kujtdo të përfshirë në trazirat kundër qeverisë së sapozgjedhur të Brazilit.

Bolsonaro, një aleat i ngushtë i ish-presidentit amerikan Donald Trump, fluturoi për në Florida në vend që të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva më 1 janar dhe kishte bërë akuza të pabaza për integritetin e zgjedhjeve të tetorit.

Rebelët në mbështetje të Bolsonaros të dielën u mblodhën në Brasilia, duke vandalizuar pallatin presidencial dhe institucionet e tjera, ngjarje kjo që tërheqi paralele me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

“Ne e dimë drejtpërdrejt ndikimin — si të menjëhershëm ashtu edhe afatgjatë — kur zyrtarët qeveritarë përmbysin normat demokratike, përhapin dezinformata dhe nxisin ekstremizmin e dhunshëm”, thuhej në letrën e 41 anëtarëve të Dhomës.

“Ne nuk duhet të lejojmë z. Bolsonaro apo ndonjë ish-zyrtar tjetër brazilian të strehohet në Shtetet e Bashkuara për t’i shpëtuar drejtësisë për çdo krim që mund të kenë kryer kur ishin në detyrë” thanë ligjvënësit.

Ata i bënë thirrje administratës Biden të vlerësojë nëse vizita e Bolsonaro në SHBA mbetet e ligjshme, pasi ai mund të ketë fluturuar në Shtetet e Bashkuara me vizë për vizitorët zyrtarë edhe pse nuk është më president.

Ligjvënësit gjithashtu i bënë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të mbajë përgjegjës këdo në Florida që “mund të ketë financuar ose mbështetur krimet e dhunshme të 8 janarit”./UBTNews/

Exit mobile version