UBT News

Pas tërheqjes së McDonalds, Rusia hapë versionin e saj të restoranteve

Rrjeti rus i ushqimit të shpejtë që ishte më parë McDonald’s, ka zbuluar logon e tij të re ndërsa përgatitet të rihapë restorantet e tij nga e diela, përcjell UBT News.

Marka e re përmban një rreth dhe dy linja, të cilat thuhet se përfaqësojnë një burger dhe dy patate të skuqura.

Kompania nuk e ka zbuluar ende emrin e restorantit, edhe pse një numër opsionesh thuhet se janë shqyrtuar.

Në maj, McDonald’s tha se do të tërhiqej nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë.

Zbulimi i logos vjen pasi rrjeti i restoranteve ruse është planifikuar të rihapë 15 prej tyre këtë fundjavë, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, e cila citoi Sistema PBO-n, firmën që menaxhon biznesin e zotëruar më parë nga McDonald’s.

“Sfondi i gjelbër i logos simbolizon cilësinë e produkteve dhe shërbimeve me të cilat janë mësuar të ftuarit tanë”, tha një zëdhënës i Sistema PBO për TASS.

Sipas gazetës Izvestia, Sistema PBO ka dorëzuar tetë emra potencialë për restorantet.

Emrat që thuhet se janë në shqyrtim përfshijnë “Tot Samyi”, që përkthehet në “i njëjti” dhe “Svobodnaya Kassa” që do të thotë “arka e disponueshme”.

McDonald’s ndaloi përkohësisht biznesin e tij në Rusi në mars, më pak se dy javë pasi vendi pushtoi Ukrainën.

Muajin e kaluar, McDonald’s njoftoi se do të largohej nga Rusia për shkak të “krizës humanitare” dhe “mjedisit të paparashikueshëm operativ” të shkaktuar nga lufta.

Para se të largohej, kompania kishte funksionuar në vend për më shumë se 30 vjet.

Gjigandi i ushqimit të shpejtë hapi restorantin e tij të parë rus në Moskë në janar 1990. Kjo u pa si një moment kyç në hapjen e ekonomisë së Bashkimit Sovjetik pasi Luftës së Ftohtë po i vinte fundi./UBTNews/

Exit mobile version