Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se brenda 72 orëve të ardhshme do të tregojë kërkesat e Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë.
Këto ai i tha në një konferencë pas përfundimit të takimeve me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe atë me ambasadorin e ShBA-së në Serbi, Christopher Hill.
Vuçiq e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare “se nuk po i përmbush ato që i kërkon Serbia”.
“…Do të kemi shumë takime të rëndësishme sepse duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për atë çështje. Është e qartë që Kurti dëshiron shkatërrimin e persekutimin e popullatës serbe”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se pritet që gjatë tetorit të dalin para Kuvendit të Serbisë me propozime të gjera dhe të rëndësishme.