UBT News

Pas rritjes së çmimeve, Kurti paralajmëron pako masash për t’u dalë në ndihmë qytetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas rritjes së çmimeve në vend. Kurti shkroi në Facebook se Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave.

Sipas tij, shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.

Shefi i Qeverisë paralajmëroi se ditëve në vijim pritet të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve.

“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pa bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët. Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, po u kërkoj edhe tani teksa po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti tha se ata që po e fajësojnë Qeverinë për rritje çmimesh, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës.

“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre.  Janë po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar! Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie”, shkroi Kurti./UBTNews

Exit mobile version