Ditë më parë, ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, shpërndau një shkrim të gazetës ‘LeFigaro’ në Francë në llogarinë e tij në Twitter ku shiheshin disa karikatura të Profetit Muhamed.
Ky veprim i Gashit nxiti reagime të shumta, e sot ai doli me një sqarim. Ambasadori Gashi në Facebook ka shkruar se kjo nxiti një deklaratë linçuese ndaj tij dhe ajo i nxiti disa fanatikë që jo vetëm siç tha ta ofendojnë e shajnë me gjuhë vulgare, por edhe t’i dërgojnë mesazhe kërcënuese.
“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës.Unë, në emër të vlerave që e krijuan Kosovën e lirë dhe të pavarur, në emër të Kosovës, solidarizohem plotësisht me viktimën dhe me shoqërinë franceze e cila është goditur fort këtyre viteve të fundit nga akte terroriste me ngjyrime fetare. Franca e ka luajtur një rol të posaçëm e historik në rrugëtimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, andaj edhe ajo bëhet cak i shpeshtë i ekstremistëve. Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë.”, ka shkruar Gashi mes tjerash në Facebook.
Gashi më tej theksoi se ligjet e republikës tonë laike janë mbi normat e tjera. Dhe sipas tij, ‘këto ligje na mundësojnë ta shfaqim respektin për të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, sidomos për komunitetin më të madh, atë musliman, respekt të cilin e ndaj edhe unë’./UBTNews