Oligarkët rusë të panikuar po ikin me superjahtet e tyre në Maldive dhe Seychelles, përcjell UBT News.
Presidenti Biden bëri një paralajmërim ndaj oligarkëve rusë gjatë fjalimit të tij për State of the Union, duke thënë, “Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe konfiskuar jahtet tuaja, apartamentet tuaja luksoze, avionët tuaj privatë”.
Një numër në rritje i superjahteve që u përkasin manjatëve rusë kanë arritur në Oqeanin Indian, duke lundruar nëpër Maldive dhe Seychelles, sipas Bloomberg News.
Katër jahtet më të mëdhenj në pronësi ruse janë tani në Maldive. Më i madhi, Ocean Victory, i përket manjatit Victor Rashnikov.
Të mërkurën, autoritetet në Gjermani kapën megajahtin të oligarkut rus Alisher Usmanov, Dilbar, si pjesë e pakos së sanksioneve kundër Kremlinit dhe mbështetësve të tij, raportoi revista Forbes.
Anija u mor nga autoritetet në portin verior gjerman të Hamburgut të mërkurën. Vlera e megajahtit vlerësohet të jetë 600 milionë dollarë.
Jahti i miliarderit Oleg Deripaska, Clio, është nisur për në Maldive nga Sri Lanka. Deripaska nuk ishte i panjohur për sanksionet, ai ishte në mesin e shtatë oligarkëve rusë të sanksionuar në vitin 2018 nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së.
Vagit Alekperov, president i Lukoil me bazë në Rusi, thuhet se po lundron me jahtin e tij Galactica Super Nova nga Barcelona në Mal të Zi, sipas të dhënave të Trafikut Detar.
Nord në pronësi të Alexei Mordashov, një tjetër miliarder, ndodhet në Seychelles pasi lundroi nga Maldivet. Sea Rhapsody e bankierit rus Andrey Kostin po shkon në zinxhirin e ishujve nga Turqia.
Ndërkohë Roman Abramovich, i cili thuhet se është aleati më i afërt i Putinit nga oligarkët, ka nxjerrë në shitje pronat e tij në Londër dhe madje po shet klubin e tij të futbollit Chelsea.
Deputeti britanik Chris Bryant tha në Parlament në Londër të hënën, “Ai është i tmerruar nga të qenit i sanksionuar”.
Abramovich – i cili gjithmonë ka mohuar lidhjet me Putinin – madje ka qenë në Bjellorusi “duke ndihmuar në bisedimet” në emër të rusëve.
Një zëdhënës i pronarit të Chelsea tha, “Unë mund të konfirmoj se Roman Abramovich u kontaktua nga pala ukrainase për mbështetje në arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe se ai është përpjekur të ndihmojë që atëherë”.
Ndërkohë super jahti i Abramovich Eclipse është aktualisht i ankoruar në St. Maarten. Varka është e pajisur me një sistem zbulimi të raketave të shkallës ushtarake, dy helikopterë dhe një nëndetëse që është e aftë të zhytet në 50 metra – duke ndezur spekulime se jahti mund të jetë një strehë për Vladimir Putin./UBTNews/