Është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili mundëson qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.
Akti ligjor u nënshkrua nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola dhe ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian (BE).
Pas kësaj, në konferencë për medie dolën eurodeputeti njëherësh raportuesi për Kosovën në çështjen e vizave, Thijs Reuten dhe zëvendëskryeministri për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.
Eurodeputeti Reuten tha se me këtë vendim i vjen fund padrejtësisë ndër vite ndaj Kosovës.
“Ishte e padrejtë dhe paarsyeshme dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për t’i plotësuar gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe përmbushur ato para shumë vitesh. Kjo nuk është moment shumë i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por është edhe për ne, pasi Bashkimi Evropian përfundimisht e përmbush premtimin e vet dhe kjo është me rëndësi për rajonin pasi mund të hapim një kapitull të ri. Prandaj integrimi evropian për gjitha vendet e Evropës juglindore është garanci se këto reforma duhet të rriten”, tha ai.
Krahas kësaj, ai tha se nuk ishte i gëzuar me përfshirjen si kusht për liberalizimin e vizave me funksionalizimit të sistemit ETIAS në BE. Mirëpo, ai tha se me rëndësi është që është vendosur 1 janari 2024 si datë e fundit për liberalizim të vizave.
“Për të qenë i sinqertë unë nuk isha fare i gëzuar me kushtin e ri që doli në fazën e fundit të negociatave. Për mua ishte befasuese që kjo ishte kërkuar fuqimisht, por tashmë kjo ka ndodhur. Unë jam shumë i kënaqur që së paku tashmë kemi një datë përfundimtare, 1 janar 2024. Pajtohem se ETIAS nuk duket që do të jetë funksional deri në atë datë, por kushti nëse ETIAS është funksional apo jo nuk do të përdoret. Ka qenë me rëndësi për parlamentin që të kishte një datë të fundit për liberalizim të vizave”, shtoi ai.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se liberalizimi i vizave do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian. Ndërkaq tha se do të ketë tetë muaj mundësi për t’i informuar qytetarët për detyrimet dhe kufizimet që ka heqja e vizave për Zonën Schengen.
“Ky ka qenë një proces shumë i gjatë, vështirë dhe me shumë pengesa rrugës. Për shumë vite kishte ngecur në Këshill dhe nganjëherë dukej e pamundur që të tejkalohej. Megjithatë ne bëmë argumentin tonë jo vetëm duke përmbushur kriteret, por Kosova ka përparuar në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të migrimit. Këto arritje nuk kanë mundur të injorohen dhe tejkalohen. Kemi punuar shumë me gjithë vendet anëtare që kjo të bëhet e mundur… Liberalizimi i vizave vjen me një sërë detyrimesh, kufizimi i mjeteve financiare, dokumentet që duhet t’i kesh me veti, numrin maksimal të ditëve të qëndrimit. Do të kemi tetë muaj për t’i informuar qytetarët për të gjitha kufizimet”, tha ai.
I pyetur për qytetarët serb të Kosovës që kanë pasaporta serbe, euro deputeti Reuten tha se vetëm qytetarët e Kosovës që kanë pasaportë kosovare mund të udhëtojnë lirshëm pa viza në BE.
Lidhur me këtë foli edhe zëvendëskryeministri Bislimi, i cili tha se rregullat janë të qarta në lidhje me këtë çështje, derisa i bëri thirrje gjithë qytetarëve serb të Kosovës të pajisen me pasaportë të Kosovës.
“Vendimi që është marrë sot ka të bëjë me udhëtimin e qytetarëve të Kosovës. Beogradi nuk është në Kosovë. Ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi shpresojë të marrin pasaporta në Kosovë që t’i gëzohen këtij vendimi”, shtoi ai.
Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, Reuten tha se shpreson që BE-ja të merret me aplikimin e Kosovës dhe proceset të tjera integruese.
“Bashkimi Evropian duhet të merren me aplikimin e Kosovës për anëtarësim me të njëjtin dedikim dhe thellësi dhe shpejtësi të njëjtë sikur kemi bërë me aplikime të tjera. Sa i përket pesë vendeve që ende nuk e njohin formalisht Kosovën, besoj se ky hap që po e bëjmë tash dhe përpjekjet që janë bërë për normalizimin e marrëdhënieve, janë sinjale edhe për këto vende që të lëvizin drejtë njohjes formale”, theksoi ai.
Bislimi tha se Kosova është e gatshme për hapat vijues për integrim në Bashkim Evropian.