UBT News

Pas konstituimit të Kuvendit, pritet formimi i Qeverisë së re

Pas tetë muajsh bllokadë institucionale, Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, duke i hapur rrugë fazës së radhës, formimit të Qeverisë së re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet të mandatojë koalicionin fitues të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, për krijimin e kabinetit qeveritar. Sipas Kushtetutës, kandidati për kryeministër ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin në Kuvend.

Megjithatë, Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvendin prej 120 deputetësh, nuk e ka shumicën e nevojshme për të qeverisur pa partner koalicioni. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se partia është e hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera, përveç Listës Serbe.

Nëse brenda afateve ligjore nuk arrihet të formohet Qeveria, Presidentja Osmani ka detyrimin të ftojë partitë për konsultime. Në rast se dështon edhe përpjekja e dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

Konstituimi i Kuvendit ndodh vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit./D.B/UBTNews

Exit mobile version