Turqia ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në fushatën e saj për të rregulluar përdorimin e platformave online, duke bllokuar aksesin në platformën e lojërave ‘Roblox’. Ky vendim vjen pas bllokimit të mëparshëm të Instagramit, dhe autoritetet turke e justifikojnë këtë masë si një përpjekje për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtje e papërshtatshme.
Ministri turk i drejtësisë, Yilmaz Tunç, deklaroi: “Vendi ynë është i detyruar të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve tanë. Përdorimi i teknologjisë në mënyrë negative nuk është kurrë i pranueshëm.” Zyra e Kryeprokurorit Publik në Adana ka nisur një hetim për platformën ‘Roblox’, që çoi në kufizime në shkallë kombëtare, raportoi Reuters.
Një zëdhënës i Roblox shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet turke dhe shpreson që situata të zgjidhet së shpejti.
Vendimi për bllokimin e Roblox vjen vetëm pesë ditë pas ndalimit të Instagramit në Turqi, që është përdorur nga 57.1 milionë njerëz në këtë vend me 80 milionë banorë. Sipas raportimeve, ky veprim erdhi pasi Instagrami kufizoi postimet lidhur me liderin e vrarë të Hamasit, Ismail Haniyeh, një veprim që është cilësuar si censurë nga autoritetet turke./UBTNews/