UBT News

Pas gjobës prej 225 milionë eurosh, WhatsApp përditëson politikën e tij të privatësisë

WhatsApp ka përditësuar politikën e tij të privatësisë për përdoruesit evropianë. Kjo pasi iu dha një gjobë rekord prej 225 milionë eurosh nga rregullatorët irlandezë për mbrojtjen e të dhënave në fillim të këtij viti, përcjell UBT News.

Politika e re, e publikuar të hënën, përfshin më shumë detaje se si kompania mbledh dhe përdor të dhënat e klientëve, si ruhen dhe kur fshihen.

WhatsApp gjithashtu tha se kishte shtuar më shumë detaje mbi “pse ne ndajmë të dhëna përtej kufijve”, si dhe bazat ligjore për përpunimin e informacionit të përdoruesve.

Pse u gjobit WhatsApp?

WhatsApp u gjobit nga Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) në shtator për shkelje të rregulloreve të rrepta GDPR që rregullojnë ndarjen e të dhënave në BE.

Në vendimin e saj, DPC zbuloi se WhatsApp nuk kishte qenë mjaft transparent për mënyrën se si i trajtonte të dhënat e përdoruesve.

Kjo nënkupton se WhatsApp nuk kishte dhënë informacion të mjaftueshëm rreth mënyrës se si u mblodhën të dhënat “në një formë koncize, transparente, të kuptueshme dhe lehtësisht të arritshme, duke përdorur një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë”, tha DPC.

Rregullatori irlandez vendosi gjithashtu një vërejtje së bashku me një urdhër që WhatsApp të sillte përpunimin e tij në përputhje duke ndërmarrë “një sërë veprimesh të specifikuara korrigjuese”.

WhatsApp aktualisht po apelon kundër këtij vendimi. Në shtator kompania tha se gjoba që mori ishte “krejtësisht joproporcionale”.

Dënimi prej 225 milionë eurosh është më i madhi i dhënë ndonjëherë nga DPC, dhe i dyti më i madhi i lëshuar sipas GDPR, pas një gjobe prej 746 milionë eurosh dhënë Amazon nga autoritetet në Luksemburg./UBTNews/

Exit mobile version