Numri i vërtetë global i vdekjeve nga Covid-19 mbetet i vështirë për t’u përcaktuar, kjo ndonëse janë bërë tre vjet pasi u zbulua rasti i parë, me ekspertët të cilët janë dakord se ka pasur shumë më tepër vdekje sesa është raportuar zyrtarisht.
Dallimi midis shifrave zyrtare dhe reale mund të ndryshojë edhe më tej vitin e ardhshëm, ku parashikohen më shumë se një milion vdekje në Kinë, e cila kohët e fundit ndryshoi politikën se si numëron vdekjet.
Ka pasur më shumë se 6.65 milionë vdekje të raportuara zyrtarisht nga Covid që kur virusi u identifikua për herë të parë në Kinë në dhjetor 2019, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Megjithatë, vendet numërojnë vdekjet nga Covid ndryshe dhe metodat kanë ndryshuar gjatë gjithë pandemisë.
Atribuimi i vdekjeve ndaj Covid-it mund të jetë një ushtrim shumë i vështirë, tha Antoine Flahault, drejtor i Institutit të Shëndetit Global në Universitetin e Gjenevës.
Studiuesit kanë kërkuar të krahasojnë numrin total të vdekjeve nga të gjitha shkaqet e regjistruara që nga viti 2020 me atë që do të pritej nëse nuk do të kishte pasur pandemi.
Duke përdorur këto shifra, studiuesit nga OBSH raportuan në revistën Nature në fillim të këtij muaji se kishte 14.83 milionë vdekje nga Covid në 2020 dhe 2021, duke përditësuar një shifër të publikuar për herë të parë në maj.
Kjo është gati tri herë më e lartë se 5.4 milionë vdekjet e raportuara zyrtarisht nga Covid gjatë këtyre dy viteve.
Hulumtimet nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit me qendër në SHBA vlerësuan në mars se numri ishte edhe më i lartë 18.2 milionë.
Numri është rritur më ngadalë këtë vit. Një raport i përditësuar rregullisht nga The Economist vlerëson se ka pasur 21 milionë vdekje që nga fillimi i pandemisë – 3.1 herë më i lartë se numri zyrtar.
Sipas shifrave të OBSH-së, India kishte deri tani numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me Covid në 2020-2021 me 4.74 milionë, një shifër që qeveria indiane e ka kundërshtuar ashpër./UBTNews/