Këngëtarja britanike Jessie J ka rrëfyer se diagnostikimi me kancer gjiri i ka ndryshuar “tërë botën” dhe mënyrën se si e sheh jetën.
Artistja 37-vjeçare, e cila në qershor njoftoi se ishte diagnostikuar në fazë të hershme të sëmundjes, këtë javë ka mbajtur një fjalim emocional gjatë ceremonisë Music Industry Trust Awards në Londër, ku ka folur hapur për përvojën e saj, shkruan FemaleFirst.
“Ndihem me fat që bëj muzikë dhe që mund ta ndaj me botën. Secili prej nesh ka rol për ta mbajtur këtë rrotë që sillet çdo ditë, në një botë që ndryshon. Të gjithë përballemi me diçka në jetë — disa gjëra i marrim me vete në punë, e disa i lëmë në shtëpi. Por për mua, ky vit e ka ndryshuar gjithçka. Më ka ndikuar në mënyrën si mendoj, si zgjedh betejat e mia. Kur vdekja të troket në derë dhe duhet ta hapësh, ta përballosh e ta përzësh me shkelm… gjithçka merr një kuptim tjetër”, është shprehur ajo.
Autorja e “Price Tag” pati pranuar se ishte ndier “e zhgënjyer” pasi operacioni i saj i dytë në gji ishte shtyrë, ndonëse ajo kishte anuluar turneun në SHBA për ta realizuar ndërhyrjen.
“Disa prej jush ndoshta e dini, disa jo. Doja të bëja një operacion të dytë para dy javësh. Por një javë më parë, kirurgu më tha se situata ishte më e ndërlikuar nga sa mendonte e më dërgoi te një tjetër kirurg, i cili më sugjeroi ta shtyja ndërhyrjen. Sigurisht që u ndjeva e zhgënjyer, sepse kisha anuluar gjithë turneun, por kjo është diçka që nuk e kontrolloj dot. Dy kirurgë, dy mendime të ndryshme”, kishte treguar ajo në një video në Instagram.
Jessie J kishte kryer një mastektomi në qershor, menjëherë pas marrjes së diagnozës. Megjithatë, vetëm pak javë pas operacionit, ajo u rikthye në skenë për të performuar në BBC Radio 2 In The Park në Essex, vendlindjen e saj.
Gjatë performancës, ajo u tregua e hapur me publikun për gjendjen shëndetësore: “Disa prej jush ndoshta e dini, disa jo, por sot bëhen 11 javë që kam bërë operacion për kancer gjiri. Herën e fundit që dola në skenë, nuk e dija çfarë do të ndodhte. Ende jam në proces shërimi, jam mirënjohëse që jam këtu. Nuk mund ta përshkruaj sa shumë më gëzon t’ju shoh duke kënduar këngët pas kaq shumë vitesh. Ndjehem si fëmijë që ende ka fatin të bëjë atë që do më shumë në botë”, ka thënë ajo. /A.Z/UBT News/
