UBT News

Pas 418 rasteve të reja me COVID-19, reagon Instituti Kombëtar

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka reaguar pas konfirmimit të 418 rasteve të reja me COVID-19, numër rekord që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.

IKSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat antiCOVID, në mënyrë që të mos ketë mbyllje sërish.

“Sot janë konfirmuar 418 raste të reja me COVID-19 si shkak i pakujdesisë tonë. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave”, thuhet mes tjerash në reagimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

IKSHPK-ja ka kërkuar edhe nga institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës. Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thuhet në reagimin e tyre.

Instituti thekson se çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Si dhe ka kërkuar nga inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar./UBTNews

Exit mobile version