Deputetët mblidhen sërish sot, më 13 qershor, në përpjekje për ta bërë kuvendin e ri. Vazhdimi i seancës sot shënon tentimin e 31-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Vazhdimi i seancës sot është paraparë të mbahet prej orës 11:00.
Tridhjetë mbledhjet e deritanishme të “telenovelës” që do të mbahet mend gjatë, kanë dështuar në mungesë të votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kryetar të ri të Kuvendit, shkruan KosovaPress.
Albulena Haxhiu gjashtë herë ka dështuar për kryeparlamentare, direkt me vota të hapura, dhe më shumë se njëzet herë ka dështuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit, të cilin po e kundërshtojnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.
Thirrje për zhbllokim të situatës ka në vazhdimësi brenda dhe jashtë Kosovës./KosovaPress