UBT News

Partitë politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nisin fushatën për regjistrim të popullsisë në Serbi

Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, kanë nisur fushatën sensibilizuese për regjistrim të popullsisë në Serbi, e cila do të zhvillohet nga 1 deri më 31 tetor të këtij viti.

Kryetari i PVD-së, njëherit deputeti shqiptar i Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se strukturat e kësaj partie kanë filluar fushatën për regjistrim të popullsisë.

“Të dëshmojmë se Lugina e Preshevës është shqiptare duhet të jetë imperativ i joni në këtë proces”, ka shkruar Kamberi.

Gjersa Partia Demokratike përmes një kumtese në rrjetin social Facebook ka njoftuar se janë mobilizuar për “organizim sa më të mirë” të daljes së shqiptarëve në regjistrim të popullsisë në Serbi.

“PD fton qytetarët e Luginës së Preshevës që gjatë muajit tetor prej kur fillon regjistrimi, t’iu përgjigjen sa më masovikisht regjistrimit”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Muaj më parë, të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Luginë të Preshevës, janë dakorduar për pjesëmarrje në regjistrimin e këtij viti të popullsisë dhe të banesave në Serbi.

Në vitin 2011, shqiptarët e patën bojkotuar regjistrimin, me arsyetimin se nuk ka pasur kushte të barabarta për t’iu përgjigjur thirrjes për regjistrim./UBTNews/

Exit mobile version