UBT News

Partitë nuk i ndryshojnë qëndrimet sa u përket konstituimit të Kuvendit

Partitë politike parlamentare nuk kanë lëvizur nga qëndrimet rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Edhe gjashtë ditë pas përpjekjes se fundit për zgjedhjen e trupave të legjislativit, partitë kanë vazhduar avazin e njëjtë të fajësimit të njëra-tjetrës për ngërçin në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese që nga 27 korriku ka vendosur masë të përkohshme deri më 8 gusht, ku ua ndalon deputetëve çfarëdo veprimi, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit deri me 26 korrik, afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i Kushtetueses.

Në tryezën që Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizuan të premten, u pa që partitë nuk kanë përafrim për zgjidhjen e krizës politike.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, kërkoi nga partitë ish opozitare që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të mos politizohet, pasi sipas tij kjo çështje në këtë fazë është teknike.

Mirëpo, këtë e mohoi deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila adresoi akuza të renda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

“Çka po shohim është grusht-shtet, përpjekje për të përmbysur rendin Kushtetues. LVV-ja dëshiron diktat dhe jo dialog”, tha ajo.

Kritika karshi LVV-së për mungesë të kompromisit për konstituim të Kuvendit shfaqën edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj si dhe deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi.

Exit mobile version