UBT News

Partitë njëzëri: Momenti i fundit që BE-ja t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Është momenti i fundit që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, thonë përfaqësues të pozitës, opozitës. Sipas tyre, përkundër dështimit të shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore, në votimin e 21 prillit, Kosova ka përmbushur zotimet në dakordimin e Bratisllavës me BE-në për shtensionimin e situatës në veri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese në mënyrë të menjëhershme dhe jo graduale.

Kosova ka përmbushur zotimin që e ka dhënë në darkordimin e Bratislavës në kuptimin e përgatitjes së bazës ligjore për organizimin e procesit për largimin e kryetarëve aktual, mbi bazën e një procesi demokratik që parashihet me ligj. Kemi përgatitur udhëzimin administrativ, kemi organizuar procesin, është administruar peticioni por që natyrisht bojkotimi si veprim politik i Listës Serbe me dirigjimin e Beogradit e pamundësojë shprehjen e vullnetit të qytetarëve… Në raport me partnerët tanë ndërkombëtar ne kemi përmbushur zotimet që kemi dhënë dhe kemi manifestuar seriozitet mbi përgjegjësitë që kemi marr. BE-ja duhet të largojë masat e vendosura ndaj Kosovës dhe duhet të qartësojë pozicionin ndaj Serbisë dhe Beogradit zyrtar” – deklaron Rrustemi.

Masat ndëshkuese të BE-së, kërkon të hiqen edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, mirëpo thekson nevojën që qeveria të adresojë kërkesat e BE-së.

Ne kemi thënë tash e sa kohë si Parti Demokratike, por edhe kryetari Krasniqi në takimet e tij në Bruksel ka adresuar nevojën për heqjen e sanksioneve. Është një numër i madh i mbështetjes se BE-ja do të duhej të garantonte për Kosovën, ndërsa sot kemi një bllokim të fondeve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat. Natyrisht ne kemi kërkuar që BE-ja të jetë e vëmendshme dhe t’i largojë sanksionet, pa çka që duhet të thuhet se edhe qeveria e ka përgjegjësinë e saj për të adresuar në mënyrë të mirë koordinimin me partnerët” – thotë ajo.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri, që kulmoi me hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që përmes zgjedhjeve të parakohshme të mundësohet largimi i atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësojnë vullnetin e banorëve.

Exit mobile version