Në vetëm dy javët e para të këtij viti, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar 462 ankesa nga qytetarët të cilët kanë raportuar parregullsitë në treg, prej tyre 347 janë ndaj disa operatorëve kabllorë, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve në Kosovë.
Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave nga qytetarët në Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila funksionon në kuadër të MINT, dëshmon njëherazi rritjen e besueshmërisë në institucione nga qytetarët, thuhet në një komunikatë për media.
MINT në vitin 2023 hartoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili u miratua nga Qeveria dhe i cili fuqizon edhe më tej mbështetjen institucionale për të drejtën e konsumatorit në treg.
Vetëm gjatë vitit 2023, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pranoi mbi 3.000 ankesa, ku numri më i madh i tyre ishte në kategorinë e tregtisë, ku përfshihen: mospërputhja e çmimit, moskthimi i mallit, rimbursimi i mjeteve, mashtrimi i konsumatorit etj.
Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut fton qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes e-mail adresës konsumatori@rks-gov.net.