Parlamenti Evropian po zhvillon procesin e verifikimit të komisionerëve të rinj të Bashkimit Evropian, një procedurë që do të zgjasë nga 4 deri më 12 nëntor 2024. Gjatë kësaj kohe, 26 politikanë do të përballen me pyetje të detajuara për të vlerësuar përshtatshmërinë e tyre për postet e larta në Komisionin Evropian, institucion qendror i BE-së me mbi 38,000 të punësuar.
Sipas rregullave strikte të parlamentit, çdo kandidat duhet të përballet me një seancë të pyetjeve që zgjat tre orë, ku tetë grupe të deputetëve shqyrtojnë në detaje karrierën, interesat financiare, qëndrimet morale dhe politike, si dhe çështjet potenciale të diskutueshme. Deputetët vlerësojnë gjithashtu sjelljen dhe reagimet e kandidatëve, duke marrë parasysh shenjat e vetëbesimit, nervozizmit ose paqartësisë.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila është konfirmuar tashmë nga Parlamenti Evropian, do të udhëheqë ekipin e ri që pritet të nisë punën më 1 dhjetor, por vetëm pasi deputetët të miratojnë përbërjen e plotë të Komisionit. Përpara kësaj, parlamenti mund të refuzojë kandidatët që nuk plotësojnë standardet, një ndodhi e rrallë por jo e paprecedentë.
Ndër shembujt e refuzimeve të mëparshme është ai i italianit Rocco Buttiglione në vitin 2004, i cili u kundërshtua për qëndrimet e tij të ashpra kundër të drejtave të komunitetit LGBTQ+, dhe francezes Silvi Gulard në 2019 për dyshime lidhur me angazhimet e saj financiare. Këtë herë, emra si komisioneri hungarez Oliver Varhelyi janë në qendër të vëmendjes, pasi ai konsiderohet një aleat i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban. Edhe kandidatja bullgare Ekatarina Zaharieva dhe Glenn Micallef nga Malta mund të përballen me vështirësi për shkak të çështjeve të mëparshme ose mungesës së përvojës.
Një faktor kyç që po ndikon në këtë proces është Viktor Orban, kryeministri hungarez, i cili mund të bllokojë përbërjen e Komisionit të ri nëse kandidati i tij refuzohet. Orban njihet për kritikat e tij ndaj BE-së, duke akuzuar Komisionin se funksionon si një byrokraci autokratike. Ndërkohë, bllokimi i fondeve evropiane për Hungarinë mbetet një temë e nxehtë për shkak të politikave të tij që shkelin vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Komisioni i ri i Ursula von der Leyen ka prezantuar një strukturë të re, duke theksuar më shumë tranzicionin ekonomik të BE-së drejt neutralitetit klimatik dhe krijimin e portofoleve të reja si Mbrojtja e kafshëve, Ndërtimi i banesave dhe Mesdheu, që i është caktuar komisioneres kroate Dubravka Shuica për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët e Afrikës së Veriut.
Nëse të gjitha kandidatët miratohen, ata do të fitojnë paga që fillojnë nga 26,000 euro bruto në muaj, ndërsa presidentja e Komisionit përfiton 31,800 euro. Këto pozita janë të lakmueshme, por të mbushura me sfida të mëdha, që shihen në përpjekjet për të balancuar interesat e ndryshme të shteteve anëtare dhe të garantuar që BE-ja të mbetet e bashkuar përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme./UBTNews/