UBT News

Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën, kërkon njohje nga pesë shtetet e BE-së

Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Kosovën, duke riafirmuar mbështetjen për integrimin evropian të vendit dhe duke u bërë thirrje pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

Raporti u miratua me 412 vota pro, 174 kundër dhe 58 abstenime. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbeten thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës.

Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët mbështesin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor 2022, dhe i kërkojnë Këshillit të BE-së të avancojë procedurat që do t’i hapnin rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat pas përmbushjes së kritereve.

Raporti përsërit gjithashtu thirrjen që pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën të ndërmarrin këtë hap, në mënyrë që vendi të trajtohet në baza të barabarta me shtetet e tjera aspirante për anëtarësim.

Megjithatë, dokumenti shpreh shqetësim për situatën politike në vend, duke vlerësuar se viti 2025 është karakterizuar nga polarizimi dhe ngërçi politik. Sipas eurodeputetëve, vazhdimi i bllokadës institucionale pas zgjedhjeve mund të ndikojë negativisht në procesin integrues dhe në përfitimin e fondeve evropiane.

Po ashtu, raporti paralajmëron se Kosova rrezikon të humbë mjete të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nëse nuk i përmbush obligimet dhe kriteret e përcaktuara.

Parlamenti Evropian ka vlerësuar se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe ka mirëpritur formimin e institucioneve, ndërsa ka shprehur keqardhje për mungesën e kompromisit politik për zgjedhjen e presidentit.

Raporti mirëpret gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një hap që kontribuon në forcimin e sigurisë dhe përballimin e kërcënimeve hibride në rajon.

/A.K/

Exit mobile version