Dhjetra autobusë elektrikë do të hiqen përkohësisht nga rrugët e Parisit “si një masë paraprake” pasi dy prej automjeteve u kapën nga zjarri, tha të premten operatori i transportit publik RATP.
Pas një zjarri të dytë të premten në mëngjes, në të cilin askush nuk u lëndua, “RATP ka marrë vendimin për të pezulluar përdorimin e 149 autobusëve elektrikë” të modelit Bluebus 5SE të prodhuesit Bollore, tha kompania shtetërore.
Autobusi numër 71 që mori flakë në juglindje të Parisit herët të premten, lëshoi tym të zi dhe një erë të fortë plastike të djegur, sipas një gazetari të AFP në vendngjarje.
“Shoferi i autobusit evakuoi menjëherë të gjithë pasagjerët”, tha RATP, ndërsa shërbimi zjarrfikës i qytetit tha se zjarri u shua nga rreth 30 zjarrfikës./UBTNews/