Parisi ka ndaluar mbajtjen e protestës së ashtuquajtur “Konvoji i Lirisë”, protestë kjo e planifikuar për të premten, ndërsa shoferët e kamionëve u nisën për në qytet.
Kryeqyteti i Kanadasë, Otava u paralizua për disa ditë nga shoferët e kamionëve që po protestojnë kundër masave antiCOVID atje.
Policia i ka ndaluar protestat, duke ua kujtuar njerëzve që pjesëmarrja në protesta mund të dënohet me dy vjet burg ose 4 mijë e 500 euro gjobë.
Otava shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të protestave të saj. Shoferët e kamionëve bllokuan rrugët për të protestuar kundër masave antiCOVID, ku mes tjerash është edhe certifikata e vaksinimit për të kaluar kufirin ShBA-Kanada.
Në Francë po protestohet kundër certifikatës së vaksinimit që po kërkohet për të hyrë në restorante, bare dhe hapësira publike.
Autostradat që të çojnë në Paris do të kenë polici shtesë që do t’i patrullojë ato. Drejtuesve që bllokojnë qarkullimin e lirë të trafikut mund t’u pezullohet patenta e drejtimit ose t’u shtohen pikë dënimi patentës, krahas kërcënimit me burg dhe gjoba të mëdha.
Protestuesit francezë po organizojnë protesta përmes platformave online dhe duket se kanë prejardhje të ndryshme politike dhe ideologjike./UBTNews