Ministrat francezë dhe gjermanë, të ngarkuar me Çështjet Europiane, kritikuan sot mungesën e përparimit në negociatat post Brexit, duke bërë thirrje për respektimin e rregullave europiane.
“Mungesa e përparimit në negociatat Brexit është shumë shqetësuese. BM duhet të sigurojë përgjigje konkrete. Franca dhe Gjermania janë të mobilizuara për të mbrojtur fuqishëm interesat e qytetarëve tanë dhe bizneset tona. Nuk mund të ketë qasje në treg pa respektuar rregullat tona”, deklaroi Sekretari francez i Shtetit, Clément Beaune, në frëngjisht dhe anglisht, në Twitter, raporton ATSh.
Michael Roth, zëvendësministri gjerman për Çeshtjet Europiane, publikoi të njëjtin tekst në gjermanisht dhe anglisht.
Kjo qasje e përbashkët vjen dy ditë pas një takimi midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, që dëshmoi unitetin franko-gjerman dhe një ditë pas bllokimit të ri në negociatat midis Londrës dhe Brukselit.