Delegacioni olimpik shqiptar që mori pjesë në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” ka mbërritur sot në Rinas.
Delegacioni shoqërohej nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Klubit Shumësportësh në bashkinë e Tiranës, Gjergji Muzaka, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, si dhe presidenti i Federatës së Atletikës Shqiptare Taulant Stërmasi.
Delegacioni olimpik është pritur nga qytetarë të shumtë në një ceremoni të organizuar në Aeroportin e Rinasit.
Pas fitores historike në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, mundësit shqiptar Islam Dudaev dhe Chermen Valiev mbërritën në Rinas së bashku me dy medaljet e bronzta në kategorinë 65 dhe 74 kg.
Më 10 gusht, Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024, duke fituar medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Medalja e dytë për Shqipërinë u fitua nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./UBTNews/