Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj lajmeve dhe mesazheve që kanë qarkulluar kohët e fundit në rrjet, duke i cilësuar ato si gënjeshtra dhe sulme të padrejta ndaj figurës së saj.
Përmes një statusi të publikuar në profilin e saj zyrtar në Facebook, Simaku shprehet se ka zgjedhur të heshtë për një kohë të gjatë përballë shpifjeve, por se tani është ndjerë e detyruar të flasë, pasi situata ka kaluar çdo kufi.
“Nuk kam dashur kurrë të reagoj ndaj gënjeshtrave dhe sulmeve të padrejta që disa persona përpiqen t’i hedhin mbi imazhin tim. Por tashmë situata ka kaluar çdo kufi dhe nuk mund të hesht më”, shkruan ajo.
Simaku shton se ka marrë mijëra mesazhe nga ndjekës që i kanë dërguar materiale të rreme, të cilat sipas saj janë krijuar në mënyrë artificiale me programe kompjuterike, duke nënvizuar se ato nuk kanë asnjë lidhje me të.
“Dua t’ju siguroj se asgjë prej tyre nuk është e vërtetë”, thekson këngëtarja.
Duke u shprehur si një person besimtar, ajo thotë se i beson drejtësisë hyjnore dhe se është e bindur se Zoti do të vendosë të vërtetën në kohën e duhur.
Artistja thekson se ky do të jetë reagimi i saj i parë dhe i fundit për këtë çështje, duke u bërë thirrje ndjekësve të mos ndikohen nga lajme të pavërteta dhe të vazhdojnë të besojnë në integritetin e saj.
“Do të vazhdoj të qëndroj krenare dhe e fortë, pavarësisht sfidave”, përfundon ajo, duke falënderuar ata që i kanë qëndruar pranë me mbështetje dhe besim.