Në librin e tij të vitit 1999, “The Age of Spiritual Machines”, shpikësi dhe futuristi Ray Kurzweil bëri parashikime që kanë tërhequr vëmendjen e botës teknologjike dhe shkencore.
Ai parashikoi se deri në vitet 2020, Inteligjenca Artificiale (IA) do të ishte e aftë të kryente shumicën e detyrave që aktualisht i bëjnë njerëzit.
Kurzweil shpjegoi se deri më 2029, makinat do të arrinin inteligjencën e nivelit njerëzor, duke u bërë partnerë të barabartë në shumë fusha të jetës dhe punës njerëzore. Deri më tani, pretendon se nga 147 parashikime të bëra që nga vitet 1990, 86% janë rezultuar të sakta, një tregues i saktësisë së vizionit të tij për zhvillimin e teknologjisë.
Sipas Kurzweil, vala e ardhshme e teknologjisë do të shkojë shumë përtej automatizimit të thjeshtë. Ai parashikon se deri në vitin 2032, shkenca do të arrijë përparime që mund të ngadalësojnë ose madje të përmbysin procesin e plakjes, duke sjellë revolucion në shëndetin dhe jetëgjatësinë njerëzore.
Në vitet e 2030-ës, nanorobotët pritet të luajnë një rol kyç, duke lidhur trurin tonë me cloud-in, çka mund të zgjeronte aftësitë njohëse dhe të mundësonte një shkallë të re ndërveprimi mes mendjes njerëzore dhe inteligjencës artificiale.
Deri më 2045, Kurzweil beson se njerëzimi do të arrijë Singularitetin, një pikë ku inteligjenca njerëzore dhe artificiale bashkohen plotësisht, duke zgjeruar kapacitetet e vetëdijes dhe duke krijuar mundësi të reja për krijimtarinë, inovacionin dhe zhvillimin e civilizimit.
Ai e quan këtë dekadë si më transformuese në historinë njerëzore, një moment kur kreativiteti dhe llogaritja bashkohen, duke hapur një epokë krejtësisht të re të teknologjisë dhe shoqërisë. /A.Z/UBT News/
