UBT News

“Paranormal Activity” mbërrin në Broadway, producenti: Më në fund një horror që të frikëson

Versioni teatral i filmit të suksesshëm horror “Paranormal Activity” ka mbërritur në Broadway, me autorët që pretendojnë se kanë arritur të sjellin në skenë një përvojë frikësuese që rrallë realizohet në teatër.

Producenti Jason Blum, themelues i Blumhouse dhe producent i projekteve si “Get Out” dhe “Five Nights at Freddy’s”, tha se prej vitesh kishte parë shfaqje që synonin të frikësonin publikun, por pa arritur gjithmonë efektin e dëshiruar.

“Unë nuk kam parë kurrë një shfaqje që më ka frikësuar vërtet dhe këta njerëz ia dolën ta realizonin”, tha Blum për adaptimin teatror.

Shfaqja ndjek një çift të sapomartuar që zhvendoset nga Çikagoja në Londër, ku nis të përballet me fenomene të pazakonta në shtëpinë e re. Ngjarjet ndikojnë edhe në marrëdhënien e tyre, duke vënë në pikëpyetje arsyen dhe duke hapur rrugën për situata që nuk mund të shpjegohen shkencërisht.

Ndryshe nga filmi, produksioni nuk mbështetet në montazh kinematografik, pamje nga afër apo efekte të papritura. Në vend të tyre, skena përdor elemente të thjeshta, si televizorë që ndizen, qirinj që fiken, hije dhe batanije që rrëzohen.

Regjisori Felix Barrett, krijuesi i shfaqjes “Sleep No More”, tha se çelësi ishte që historia të ndërtohej fillimisht si një dramë familjare bindëse.

“Kjo mund të funksionojë vetëm nëse shihni një çift që njihni përpara jush. Mund t’i kaloni pranë në rrugë. Madje mund ta shihni veten në atë çift”, tha Barrett.

Ekipi krijues, ku bëjnë pjesë edhe shkrimtari Levi Holloway dhe dizajneri i iluzioneve Chris Fisher, i ka integruar efektet brenda vetë skenografisë së ndërtesës së errët shumëkatëshe.

Sipas Barrett, gjatë procesit krijues ekipi kuptoi se “më pak është më shumë”, duke hequr disa nga skenat më ekstreme të versioneve të mëparshme për të ruajtur një efekt më të fortë te publiku./A.K/

Exit mobile version