Pas marrjes së një informacioni nga Departamenti për Siguri i Shërbimit Korrektues të Kosovës, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë një tentativë kontrabande në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Gjatë bastisjes në zonën sterile nga Njësiti K9 i SHKK-së u gjetën tre telefona mobilë dhe një adapter, thuhet në njoftim.
Telefonat u lokalizuan dhe tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar mënyrën se si është tentuar futja e pajisjeve brenda qendrës korrektuese.
Shërbimi Korrektues i Kosovës shpreh përkushtimin për luftimin e kontrabandës dhe thotë se nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon rendin dhe sigurinë në këtë institucion.